Po ndiqte hajdutin që vodhi celularin e një vajze, punëtori i hekurudhës vdes nga ataku në zemër

Një histori dramatike e ndodhur në stacionin hekurudhor të Santa Maria Capua Vetere, në provincën e Caserta, ku një 62-vjeçar, Carlo Palma, punonjës i hekurudhës italiane, nuk hezitoi të ndiqte hajdutin e celularit të një vajze që sapo zbriti nga treni. Punëtori i hekurudhës kishte detyrën e kontrollit të stacioneve. Kur pa një të ri duke i marrë me forcë celularin nga duart një vajze që sapo kishte zbritur nga treni, ai e ndoqi përgjatë platformës, por në një moment, siç dëshmuan dëshmitarët, ai e ngadalësoi shpejtësinë dhe u ul në një stol.

Fytyra e tij u zbardh dhe ai humbi ndjenjat, duke u rrëzuar. Disa njerëz u përpoqën ta ndihmonin por ishte e kotë. Zemra e Carlo Palmës pushoi së rrahuri dhe u bë e mundur vetëm të konstatohej vdekja. Hajduti 17-vjeçar është ndaluar nga udhëtarë të tjerë dhe më pas është dorëzuar në policinë hekurudhore, raportojnë mediat italiane.