Po shpërndante bombola me kamionçinë, ky është ish-polici që iu shpëtoi plumbave në Shijak

Personi që shihni në foton e mëposhtme është shtetasi Orlando Paplekaj i cili i shpëtoi një atentati mesditën e sotme në Shijak. 31-vjeçari ishte duke shpërndarë bombola oksigjeni kur persona ende të paidnetifikuar që po udhëtonin me një makinë tip “Golf” qëlluan në drejtim të tij. Por falë manovrave të shpejta ai ka devijuar makinën duke dalë jashtë rrugës dhe ka shpëtuar pa u plagosur.

Mësohet se Paplekaj është djali i Prel Paplekaj, polici i rendit në Durrës dhe është në prag të pensionit. Ato banojnë në lagjen 15 të Porto Romanos, ndërsa kanë ardhur në Durrës pas vitit 1991 nga Tropoja. Ndërkohë vetë 31-vjeçari Paplekaj ka punuar roje në disa kompani por ka qenë edhe punonjës i Policisë së Shtetit. Në dëshminë e tij para policisë, Paplekaj ka deklaruar se para një muaji ka nisur punë me shpërndarjen e bombolave të gazit dhe nuk e di se kush mund ta ketë sulmuar sot.