Policia e Uellsit në kërkim të dy vrasësve shqiptarë: Ofrohen 10,000 £ shpërblim për kapjen e tyre

Një shpërblim deri në 10,000 £ ofrohet për informacionin që çon në arrestimin e dy shqiptarëve të kërkuar për vrasjen e Tomasz Waga më 28 janar 2021. Pesë persona janë akuzuar tashmë në lidhje me vdekjen e Wagas. Por dy shtetas shqiptarë mbeten ende në kërkim si të dyshuar për vrasje:

29-vjeçari Artan Palluci, banues në Cathays, Cardiff;

22-vjeçari Elidon Elezi, banues në East Finchley, Londër.

Policia i bën apel komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe dhe jashtë saj për t’i ndihmuar ata të lokalizojnë dy të rinjtë. Një shpërblim deri në 10,000 £ i ofrohet kujtdo që jep informacion të saktë që çon në arrestimin e tyre. Inspektori detektiv Stuart Wales, nga Policia e Uellsit të Jugut, tha:

Kufijtë ndërkombëtarë nuk janë pengesë për ne që të ndjekim personat e dyshuar për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi lidhje të shkëlqyera me kolegët e zbatimit të ligjit në të gjithë Evropën, përfshirë Shqipërinë. Unë do t’i bëj thirrje Pallucit dhe Elezit që është në interesin e tyre të dalin vullnetarisht dhe të rrëfejnë për atë që ka ndodhur më janar 2021.
Hysland Aliaj, 31 vjeç, u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në Britaninë e Madhe në qershor në një operacion të përbashkët që përfshinte detektivët e krimit të Policisë së Uellsit të Jugut dhe agjencitë gjermane të zbatimit të ligjit. Ai bashkohet me katër shqiptarët e tjerë: Josif Nushi, Mihal Dhana, Gledis Mehalla dhe Mario Qato të cilët do të dalin në gjyq në tetor të akuzuar për vrasje dhe vepra të tjera të ngjashme.