Policia nuk e përballon dot irritimin e shqiptarëve pas tragjedisë në plazh, zgjedh kush duhet të komentojë ose jo në Facebook

Një polic shteti ka vrarë një vajzë 7-vjeçare ditën e sotme në plazhin e Potamit. Arjan Tase po shëtiste me një gomone të fuqishme kur u afrua në breg dhe i mori jetën vogëlushes që po lahej në det.

Fakti që autori i këtij krimi është polic ka irrituar shumë qytetarët shqiptarë të cilët ndihen çdo ditë e më të pasigurtë për jetën e tyre në Shqipëri. Për të shprehur indinjatën e tyre, ata vërshuan me komente në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.Por Policia e pakënaqur nga komentet e qytetarëve vendosi t’i fshihte dhe fshinte shumicën e tyre duke lënë vetëm disa në njoftimin e përjashtimit të policit Arjan Tase.

Pak orë më vonë Policia njoftoi shkarkimin e gjithë zinxhirit komandues të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë. Në këtë postim, Policia është treguar më e “kujdesshme” pasi ka limituar numrin e komenteve duke zgjedhur vetë se kush mund të komentojë ose jo.

Mesa duket Policia e Shtetit e cila ishte paralajmëruar shumë herë për një tragjedi të tillë nuk po e pranon dot zërin e qytetarëve dhe indinjatën e tyre.