Procedohet penalisht shoferi i Green Line: Autobusi mori superxhiro!

Shoferi i autobusit Green Line, i cili dy ditë më parë përfundoi në lumin e Lanës duke vënë në rrezik jetën e pasagjerëve dhe duke zënë poshtë një makinë tip Benz në të cilën udhëtonin dy persona, është proceduar penalisht.

62-vjeçari Muhamet Kyçyku i cili po procedohet në gjendje të lirë nga Policia Rrugore akuzohet për veprën penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Dyshohet se shoferi nuk i ka parë pasqyrat kur është futur në korsinë e shpejtësisë, duke mos kontrolluar më parë nëse ka patur makinë anë tij kur ka ndërmarrë manovrën.

Ai dyshohet si fajtor në aksidentin ku u shënuan 5 të plagosur, tashmë fatmirësisht jashtë për jetën.

Në dëshminë e tij, 62-vjeçari ka deklaruar se autobusi ka marrë superxhiro dhe kjo ka qenë arsyeja që ka humbur kontrollin e mjetit.