Publikohen për herë të parë pamje të trupit të pajetë të Heroit Ilir Konushevci, pranë tij shihen vëllezërit Haklaj (FOTO)

Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi”, ishte furnitori kryesor i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.

Konushevci ishte lidhja më e fortë e familjes tropojane Haklaj për kalimin e arsenalit luftarak matanë kufirit.

Në mbrëmjen e 8 majit 1998, Ilir Konushevci, mjeku tropojan Hazir Mala dhe një pjesëtar i UÇK-së që shërbente si shofer, ishin nisur me një kamion me armë në drejtim të Bajram Currit, nën përcjelljen e Shërbimit Informativ të Shqipërisë.
Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë, ata ishin nisur sapo kishte rënë nata dhe kishin zgjedhur rrugën e vështirë të Qafë Malit.

Rreth orës 02:00 pas mesnatës, kamioni ishte ndeshur në një pengesë të vendosur qëllimisht, që u kishte bllokuar rrugën sapo kishin kaluar fshatin Miliskajë.

Pak minuta pas bllokimit të kamionit, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës, një grup personash të armatosur shqiptarë kishin qëlluar me breshëri plumbash drejt makinës ku gjendeshin Ilir Konushevci dhe doktori Hazir Malaj, duke lënë të plagosur Ilir Konushevcin.

Por, si rezultat i zjarrit të hapur nga mjeku Hazir Malaj, ishte plagosur rëndë dhe më pas kishte gjetur vdekjen edhe njëri prej autorëve të asaj prite, i cili pas identifikimit kishte rezultuar se ishte nga Tropoja.

Gjatë shkëmbimit të breshërive me armë, shoferi i kamionit ishte tërhequr me shpejtësi deri tek makina civile e policisë shqiptare që ishte mbrapa si përcjellje, ku kishte edhe 2 zyrtarë policorë të uniformuar, duke u larguar pa u dalë fare në ndihmë Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës.

Pasi Ilir Konushevci dhe mjeku tropojan Hazir Malaj kishin mbetur vetëm, kriminelët shqiptarë që u kishin zënë pritën kishin humbur toruan, sepse njëri prej tyre kishte mbetur i vrarë në vend dhe për të humbur gjurmët ata i kishin vrarë më pas Ilir Konushevcin dhe mjekun Hazir Malën, duke i hedhur në një humnerë.

Shërbimi Informativ i Shqipërisë kishte arritur t’i identifikonte pjesëtarët e këtij grupi kriminal, por jo edhe motivin e vrasjes së Konushevcit dhe Malës.

Nuk dihet ende nëse kjo pritë e tyre kishte për qëllim vjedhjet e armëve të UÇK-së për t’i shitur më pas vetë apo vetëm vrasjen e disa ushtarëve të UÇK-së, të cilët njiheshin si të afërt me familjen Haklaj.