Publikoi fotografi me një punëtor, Behgjet Pacollin e bëjnë hor komentuesit

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, sot gjatë ditës kishte uruar punëtorët me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Pacolli publikoi një fotografi ku shihet përkrah një punëtori të Mabetex-it, kompani që ai e ka themeluar, mirëpo postimi i tij nuk u shpëtoi kritikave të komentuesve.

Pacolli, përmes një shkrimi në Facebook, tha se ndihet i lumtur kur mundëson hapjen e vendeve të reja të punës me ç’rast përmirëson edhe jetesën e kolegëve të tij.

“Urime 1 Maji, dita e punëtorëve! Uroj për të gjithë punëtorët që me punën e juaj të arrini suksese, respekt dhe të shpërbleheni për mundin. Për mua nuk ka gëzim më të madh se kur krijoj vende pune dhe përmirësoj jetën e përditshme të kolegëve të mi”, ka shkruar Pacolli më herët të dielën.

Tutje, ai shkroi se vetëm Mabetex, kompani e themeluar nga vetë Pacolli, numëron rreth pesë mijë punëtorë në Kosovë e mijëra të tjerë në vende të tjera të botës.

Mirëpo, të shumta janë komentet e njerëzve në statusin e tij në Facebook që e kritikuan Pacollin.

Njëri prej komentuesve, M.L., ia vuri në pah Pacollit se punëtori me të cilin kishte publikuar fotografi nuk posedon as elementet themelore për punë, siç janë këpucët apo kapela mbrojtëse.

“Ky tipi pajisjet elementare per pune nuk i paska (kepucet kapelen etj…) tash a nuk ja ke ble ti si Mabetex apo nuk i ka math ky. Urime 1 Maj”, shkroi komentuesi M.L. nën postimin e Pacollit.

Edhe një tjetër komentues pati komentin e njëjtë për pakujdesinë e Pacollit ndaj punëtorëve të kompanisë që ai drejton.

“Urime dita e punetoreve. Ketij zoteriut se paku kushtet elementare ne vend te punes plotesoja”, ishte komenti i tij në status të të parit të AKR-së.