Rekord botëror! Super ‘bisha’ e Mercedes Benz udhëton 1000 km me një karikim të vetëm

Të martën, më 5 prill, Mercedes Benz shënoi një rekord botëror, pasi makina konceptuale eksperimentale Mercedes-Benz “Vision EQXX ” përshkoi 1,007 km për 12 orë pa ndalim nga Stuttgarti i Gjermanisë, përgjatë Alpeve zviceriane deri në Rivierën Franceze me një bateri të vetme 100 kWh, të karikuar një herë. Kjo tregon se çfarë është e mundur të bëhet kur materialet më të avancuara, teknologjia e avancuar e baterive, konfigurimi i motorit elektrik të frymëzuar nga F1 dhe gomat aerodinamike kombinohen në një automjet.

Mercedes-Benz filloi për herë të parë projektimin e VISION EQXX në vjeshtën e vitit 2020, duke e shpallur atë si makinën elektrike me efikasitetin më të lartë në botë, me 1200 km rreze udhëtimi me një karikim të vetëm, por një vit më vonë, Mercedes e uli në 1000 numrin e kilometrave që super mjeti ishte në gjendje të përshkonte.

Ky sukses flet qartë për procesin më të ri të zhvillimit të bashkëpunimit, duke përfshirë shumë mësime nga ekipi Mercedes-AMG F1 dhe ekspertizën e tij më të avancuar në sistemet elektrikë të fuqisë. VISION EQXX është rezultat i një programi gjithëpërfshirës që ofron një plan për të ardhmen e inxhinierisë së automobilave. Shumë prej zhvillimeve inovative tashmë janë duke u integruar në prodhim, disa prej tyre në gjeneratën e ardhshme të arkitekturës modulare për automjetet kompakte dhe të mesme Mercedes-Benz.