Rrëfimi tronditës, si u vra kushëriri i Fatmir Haklajt në prag të Vitit të Ri: Rikthehet “Dosja Tropoja”

Investigimi i emisionit ‘Në Shënjestër’
Tropoja, ky peizazh mbresëlënës në kufirin më verior të Shqipërisë, kishte vite të largëta që nuk tronditej nga krimi. Aq sa kohët e errëta të përplasjeve mizore midis bandave, dukeshin të harruara dhe thjesht një zgjim i keq, historish rrëfenjash dhe bëmash që nuk kanë lidhje me atraksionin dhe potencialin e turistik që të dhuron sot kjo zonë. Kjo të paktën, deri mesnatën e 5 janarit, duke hyrë 6 janari 2020. Ku plumbat shpërfytyruan edhe njëherë qetësinë e qytetit që kish harruar se ç’ish frika dhe terrori.Natën kur Guxim Gjyriqi, baba i 3 fëmijëve u qëllua me 15 plumba, ndërsa po qëndronte përballë lokalit që kishte në administrim.

Plumba të qëlluar nga një armë e shkurtër tip PMX, që e lanë të vdekur në vend, në errësirën e natës. Ndërsa makina e autorëve, sipas emisionit ‘Në shënjestër’ u largua me shpejtësinë e errësirës për të humbur gjurmët kush e di se ku, bashkë me autorët të cilët edhe sot nuk dihet se kush janë. Po kush ishte Guxim Gjyriqi dhe pse vrasja e tij ktheu pas hijet e një kohe të shkuar të përgjakshme në Tropojë.

Ngjarje të cilat e kthyen këtë zonë për vite të gjata në sheshbetejën e krimeve brutale, ku u përzie edhe politika e ditës? Cila ishte lidhja e tij me Fatmir Haklaj dhe pse dyshimet bien mbi hakmarrjet e vjetra, plagët e të cilave lëngojnë gjak ende dhe sot në Tropojë. Guxim Gjyriqi thuhet se ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Bajram Currit.

Ai kishte në pronësi një pikë karburanti dhe një restorant në lagjen ‘Partizani’, aty ku pikërisht edhe u qëllua në mesnatën e 5 janarit 2020. Sipas dinamikës së ngjarjes, mësohet se autorët të cilët lëviznin me një automjet tip ‘Citroen’ pa targa, fillimisht kanë ndaluar përballë objektit në pronësi të Gjyriqit. Aty ku mesa duket ky i fundit po mbyllte ndërkohë llogaritë e xhiros ditore, para se të kthehej në banesë. Momenti, kur autorët mendohet se kanë pritur deri në daljen e tij në sheshpushimin e karburantit.

Ku dyshohet se këta të fundit për tu siguruar e kanë thirrur në emër, për ta qëlluar më pas pa mëshirë. I pari që e gjeti trupin e Gjyriqit, 40 minuta pasi ekzekutimi i tij ishte kryer, ishte nipi i tij. Vetëm disa orë më pas një makinë e djegur u gjet në fshatin Golaj të Hasit.

E njëjta makinë e cila u përdor nga autorët në vrasjen e 47-vjeçarit. Por siç e theksuam edhe më lart, vrasja e Guxim Gjyriqit, e ktheu edhe njëherë qytetin e rënë tashmë në qetësi, në vitet e errëta kur krismat e armës bënin ligjin. Madje për të gjetur se kur ishte shkrepur për herë të fundit një armë krimi në Tropojë, duhet të ktheheshe shumë vite më pas. Në vitet e përplasjeve të forta midis bandave në këtë qytet.

Që shkaktuan me dhjetra të vrarë. Ku shteti ishte i pafuqishëm të ndërhynte, ndërsa politika po e përdorte krimin lokal si një tytë arme drejtuar ndaj kundërshtarëve. Siç ishte edhe vrasja më 12 shtator 1998, përpara selisë së Partisë Demokratike të deputetit demokrat Azem Hajdari dhe truprojës së tij Besim Çera, ngjarje ku u plagos rëndë truproja tjetër Zenel Neza. Vrasje e cila u krye nga një togë e armatosur, e komanduar nga drejtues të Komisariatit të Tropojës, me në krye Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmanin. Ku humbi jetën në spital edhe Naim Çangu, që ndodhej në makinë me ta, në momentin që qëlluan ndaj liderit të lëvizjes studentore të vitit ’90.