Rrëmbimi në Stanishor/ Rrëfimi i viktimës në Gjykatë: Më ka goditur dhe më ka lidhur polici…

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht në shkurt të këtij viti për një rast të rrëmbimit të dy shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut nga dy zyrtarë policorë dhe katër të dyshuar të tjerë në Novobërdë. Gjithë këtë ngjarje, Sinjali raportoi se dyshohet se e kurdisi zyrtari policor Visar Kerçeli bashkë me të dyshuarën, Margona Islamin. Ndaj gjashtë të dyshuarve është ngritur aktakuzë, ndërsa dje është mbajtur seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor, ku të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre i kundërshtuan akuzat, duke thënë se deri në përfundim të këtij procesi do të vërtetohet se ata janë të pafajshëm.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitarit ka qenë edhe viktima Z.R., i cili deklaroi sërish për ngjarjen që ndodhi në Novobërdë.

Ai ka deklaruar se përmes kamarierit ia ka dërguar Margonës numrin e tij të telefonit dhe kur është larguar nga kafeteria, ka filluar të shkruajë në Viber. “Në Ferizaj prap pas një kohe jemi taku me Margonën, e cila ka ardh me një vajzë që ka thënë e kam shoqe, por tani e njoh, është motra vet. Emrin s’e kanë tregu të vërtetën dhe nuk më kujtohet se me çfarë emri e ka prezentu. Margona mu ka prezentu me një tjetër emër…”.

Ai tutje ka deklaruar se pas disa ditësh bashkë me një person tjetër dhe dy të akuzuarat kanë shkuar në një lokacion, që është caktuar, sipas tij, nga Margona Islami, si dhe kur kanë shkuar aty pas një kohe kanë kërcitur dyert dhe brenda në vile kanë hyrë të akuzuarit të cilët kanë qenë me maska në kokë dhe të gjithë kanë qenë të armatosur.

“I pari ka hyrë njëri nga ata tre që ka qenë me trup ma i madhi, po ka pasur në dorë allti, pasi ka hy ky i madhi Margona i ka thënë “mos Visar”, sepse i njëjti paraprakisht më ka goditur me grushta pasi që unë i kam thënë ati personi se unë jam i smut nga zemra. I njëjti më ka goditur tri-katër herë me grushta, me njërën dorë ndërsa në tjetrën e mbante alltinë.

Duart me pranga të plastikes të zeza mi ka lidhur Visari, unë në atë moment kam qenë në dhomë i vetëm, i zhveshur duke e pritur Margonën e cila ka qenë në banjo. Pastaj pasi që më ka prangosur mua, kta dy të tjerët Visarin e kanë qetësuar dhe e kanë larguar jashtë dhomave. Paraprakisht duke hyrë Visari me këta dy në dhomë kanë qenë edhe duke inçizuar me aparat telefonik dhe më thanë këto inçizime do t’ja dërgojmë familjes tonde të cilat ia kanë dërguar vëllaut tim në Zvicër”, ka deklaruar viktima.

Aktakuza është ngritur ndaj dy zyrtarëve policorë, Visar Kerçeli dhe Besjan Neziri, Valon Kiqinës, punëtor i Aeroportit të Prishtinës, Flamur Sopit, punëtor i RTK-së dhe Margona Islami, një femër e cila shërbeu për t’i joshur viktimat në mënyrë që më vonë t’u merret haraç.