Rrëqeth me postimin vëllai i avokatit që u gjet i prerë për fyti në Itali

Itali- Avokati shqiptar Aineo Redo u gjet i vdekur në një tunel në Itali në qytetin e Reggio Emilia-s.

Vdekja e tij tronditi familjarët, shokët dhe miqtë.

Vëllai i tij Shpëtimi ka bërë një dedikim në Facebook.

Ai shkruan se Aineo ishte kthyer në një burim shprese jo vetëm për shqiptarët, por për mijëra të huaj që kërkonin një jetë më të mirë në Itali.

Postimi i plotë:

U prehsh në paqe Vëllai im Aineo,

Ti ishe një njeri që vetëmohimin dhe përkushtimin ndaj te tjerëve a kishe bere moton Tënde të jetës. Me çfarëdo problemesh që njerëzit vinin tek Ty, Ti nuk ju thoje asnjëherë „Jo“. Për afër dy dekada, ishe kthyer në burim shprese jo vetëm për komunitetin Shqiptar në Reggio Emilia, por edhe për mijëra të tjerë të huaj që kërkonin një jetë më të mirë në Itali. Me papërtueshmërinë Tënde do të gjeje gjithmonë mënyra që t’u zgjidhje hallet dhe problemet që kishin. Ishe njeri humanist, i drejte, modest, fjalëpakë, dhe njëkohësisht sensibel dhe me një ndjenjë të lartë empatie.

Përkushtimi Yt ndaj familjes nuk njihte kufij. Sibja-Nëna jonë, Linda-Bashkeshortja Jote, dhe Joni e Leo-dy djemtë e Tu , kishin gjetur tek Ty, djalin, bashkëshortin dhe babain ku mbështeteshin dhe ishe me plot gojën gëzimi i jetëve të tyre.

Të tjerët të thërrisnin „Avokat Redo“, unë kisha privilegjin të të thërrisja „Vëllai im Neo“. Kam qenë, jam, dhe do të mbetem gjithmonë shumë krenar me Ty. Do të më mungojnë bisedat dhe përqafimet e Tua, por për këto 48 vite qe ishe ne këtë botë, kam shijuar çdo moment me Ty dhe prandaj nuk më mbetet peng asgjë.

Ti ishe me shumë se avokati i njerëzve, Ti ishe avokati i zemrave. “De mortuis nil nisi bene” – për dikë që ka vdekur, vetëm fjalë të mira. Me ty kjo shprehje merr kuptimin e vërtetë të saj.

Falënderojmë Arkitektin e madhe te Gjithësisë qe te beri pjese te jetëve tona, dhe uroj te takohemi përsëri ne Lindjen e përjetshme.

Vëllai Yt Timi