Sëmundja që po tremb botën/ Çfarë është lija e majmunit dhe si ngjitet?!

Një shpërthim ndërkombëtar i lisë së majmunëve ka habitur ekspertët. Deri më tani, agjencitë shëndetësore në mbarë botën kanë numëruar të paktën 68 raste të dyshuar të lisë së majmunëve, duke përfshirë një rast në SHBA dhe potencialisht më shumë në të gjithë Amerikën e Veriut dhe Evropën.

Saktësisht se si dhe pse sëmundja e cila zakonisht transmetohet nga një kafshë e infektuar te një njeri është shfaqur dhe përhapur nëpër kontinente, mbetet një mister.

Historikisht, shumica e rasteve kanë ardhur nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore, pas kontaktit me një kafshë të infektuar, kryesisht brejtës, besojnë shkencëtarët.

“Ky shpërthim është i rrallë dhe i pazakontë,” tha epidemiologia Susan Hopkins, këshilltarja kryesore mjekësore e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, në një deklaratë të hënën, duke njoftuar tetë raste të sëmundjes vetëm në Angli. “Saktësisht se ku dhe si të infektuarit e morën sëmundjen mbetet nën hetim urgjent,” shtoi agjencia.

Ekspertët shqetësohen se virusi mund të përhapet me shpejtësi. “Ajo që është edhe më e çuditshme është gjetja e rasteve që duket se e kanë marrë infeksionin nëpërmjet kontaktit seksual,” tha epidemiologu i UKHSA Mateo Prochazka në një postim në Twitter të martën. “Kjo është një rrugë e re transmetimi që do të ketë implikime për reagimin dhe kontrollin e shpërthimit.”

Çfarë dimë për linë e majmunit, si ta dalloni atë dhe si të mbroheni nga infeksioni.

Çfarë është lija e majmunit?

Lija e majmunëve është një sëmundje virale e zbuluar për herë të parë në vitin 1958, me origjinë nga kolonitë e majmunëve. Njeriu i parë u diagnostikua në vitin 1970, në Republikën Demokratike të Kongos gjatë një kohe kur përpjekjet e shëndetit publik në rajon ishin të fokusuara në eliminimin e lisë, e cila shfaqet në mënyrë të ngjashme me simptoma si ethe, dhimbje dhe kruarje në të gjithë trupin. Deri më tani, shumica e rasteve të lisë së majmunit te kafshët ose njerëzit kanë ardhur nga vendet e Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

Cilat janë simptomat e lisë së majmunit?

Të infektuarit me linë e majmunit kanë ethe, dhimbje koke, dhimbje trupi, enjtje të nyjeve limfatike dhe rraskapitje. 1-3 ditë pasi virusi të përhapet, pacientët do të kenë skuqje të lëkurës duke nisur me fytyrën përpara se të përhapet në të gjithë trupin.

Puçrrat e lisë kalojnë nëpër një proces të tmerrshëm, duke filluar si plagë të sheshta që më vonë ngrihen dhe mbushen me qelb të infektuar, më pas kthehen në zgjebe që përfundimisht bien. I gjithë cikli mund të zgjasë deri në katër javë për t’u përfunduar.

Sa ngjitëse është?

Transmetimi i lisë së majmunit zakonisht ndodh nëpërmjet një shkëmbimi relativisht të ngushtë të lëngjeve trupore, të tilla si pështyma që kalon përmes kollës, ose nga kontakti me puçrrat e mbushura me qelb të një pacienti me li.

Megjithëse marrëdhënia seksuale po hetohet si një mjet i mundshëm për shpërthimin aktual, ajo gjithashtu mund t’i atribuohet “kontaktit të ngushtë të lidhur me marrëdhëniet seksuale”, siç është puthja, eksperti i sëmundjeve infektive Keith Neal, nga Universiteti i Nottingham, MB. i tha Associated Press të mërkurën.