Shëngjin/ Lule në vendin ku furgoni shtypi 6-vjeçarin! Pushuesit: Makinat ecin me shpejtësi, mungon sinjalistikë! Prek nëna: O Zot më merr dhe mua

Qytetarët që po pushojnë në Shëngjin e kanë të vështirë të harrojnë atë se çfarë ndodhi një ditë më parë. Në vendin ku i mituri u përplas për vdekje nga një furgon në rrugën e plazhit, vendin e gjakut e kanë zënë lulet e lekë. Report Tv ishte sot në këtë zonë bregdetare ku vetë pushuesit shprehen se drejtuesit e automjeteve lëvizin me shpejtësi dhe se në këtë rrugë të frekuentuar nga pushuesit mungon sinjalistika.

“Jam banorë i kësaj lagjeje, situata është shumë e keqe në këtë rrugë, kalojnë makinat me shumë shpejtësi, s’ka barriera, s’ka vija të bardha, ne kemi fëmijë, unë dje sapo kalova me fëmijët e mi, hyra të dyqani, ndjeva një krismë, jemi shumë të tronditur prej kësaj ngjarjeje, kur kam parë fëmijën e vet nuk di se çfarë të them nëna dhe babai i vet duke ulëritur duke bërtitur, gjendja është tepër e rënduar, s’kam arritur…policia ka dhe nuk e di pse dje nuk kishte polic, dje se di pse nuk ka pasur. Në fund të fundit, faji nuk është i policisë, është faji i Bashkisë, apo i atyre që marrin taksat”, tha një dëshmitar.

“Makina lëvizin shumë shpejt, vetëm një polic është këtu që bën detyrën, këtu bëhet krimi dhe zbutet dënimi, nuk zbatohet ligji. Ka vdekur një fëmijë 6 vjeç, sa ka filluar që të njoh prindërit, shokët e vet, u fut në asfalt. Duhet të merren masa, që të shoferi, te ai që nuk zbaton detyrën, duke mos përjashtuar prindërin që i iku fëmija nga duart”, tha një tjetër.

Për ngjarjen policia arrestoi Shtjefen Prengën 56 vjeç, drejtuesin e furgonit për të cilin po hetohet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit. 6-vjeçari ishte krah familjes së tij me origjinë nga Burreli kur për një moment është shkëputur nga prindërit, duke përfunduar nën rrotat e furgonit.

Ngjarja e një dite më parë nuk është një rast i izoluar.Gjatë sezonit turistik zona është shumë e populluar dhe incidentet janë të vazhdueshme.