Shkatërrohet grupi shqiptar i kanabisit në Spanjë, 14 të arrestuar dhe mijëra euro të sekuestruara

14 shqiptarë janë arrestuar nga policia spanjolle në një operacion ku është çmontuar një grup kriminal i specializuar në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në zonën e Camp de Tarragona.

Sipas mediave spanjolle arrestimet janë bërë nga Divizioni i Hetimit Kriminal (DIC) i policisë katalanase më 5 korrik dhe të arrestuarit e moshës 20 deri në 51 vjeç, akuzohen për krime kundër shëndetit publik dhe mashtrim me energjinë elektrike.

Hetimi ka nisur në vitin 2021

Hetimet për këtë grup kriminal kanë nisur në fund të vitit të kaluar pas informacioneve për një grup personash që kultivonin dhe shpërndanin sasi të mëdha kanabisi. Gjatë hetimeve u zbuluar se drejtuesit e grupit përdornin bashkatdhetarë shqiptarë për kujdesin dhe monitorimin intensiv të plantacioneve në ndërtesa industriale apo shtëpi familjare.

Policia gjeti gjashtë ndërtesa në të cilat grupi kishte plantacione kanabisi, nga të cilat arrinin të mblidhnin katër ose pesë të korra në vit. Gjithashtu u zbulua se grupi krimbal ndërhynte në sistemin elektrik për të shmangur pagesën e faturave të larta të energjisë elektrike.

Mes të arrestuarve të policisë është edhe një person që kishte një urdhër arresti europian nga Italia. Plantacionet që zbuloi policia ndodheshin në komunat Tarragona, Querol, Vic, l’Ametlla de Mar, Vandellòs i l’Hospitalet de l’Infant dhe Mont-roig del Camp. Në total policia ka sekuestruar 2600 bimë kanabisi në faza të ndryshme të rritjes dhe 54 kilogramë sytha të përgatitur për shpërndarje, si dhe 21 mijë euro cash dhe një numër i madh aparatesh që përdoren për kultivimin intensiv të drogës.