Shqiptarët duan të largohen sa më parë, rriten me 50% kërkesat për azil në BE

Kërkesat e shqiptarëve për azil në vendet e Bashkimit Europian në muajin janar 2022 janë rritur me 50% krahasuar muajin janar të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane për Azilin, gjatë muajit janar 2022, 968 shqiptarë kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian. Nga këta shqiptarë që kërkojnë azil, 750 prej tyre kanë aplikuar për herë të parë ndërsa 218 të tjerë kanë aplikuar sërish pasi kanë marrë përgjigje negative në aplikimet e mëparshme.

Por ajo që bie në sy është fakti se aplikimet e shqiptarëve kanë përgjigje negative në pjesën më të madhe të rasteve. Pasi nga aplikimet e kryera në janar 2022, vetëm 22 persona kanë marrë statusin e refugjatit dhe 891 shqiptarë janë përballur me një përgjigje negative.

Ndërkohë në muajin janar të vitit të kaluar kur për shkak të pandemisë lëvizja ishte më e kufizuar, vetëm 474 shqiptarë aplikuan për azil në BE dhe nga këta 321 ishin aplikantë për herë të parë dhe 153 të tjerë aplikantë që kanë përsëritur aplikimet e tyre. Edhe në vitin 2021 numri i përgjigjeve negative që morën shqiptarët ishte 477 dhe vetëm 9 shqiptarë morën statusin e refugjatit.

Në mars, Agjencia Europiane për Azil(EUAA) bëri të ditur se në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan gjithsej për azil 11.2 mijë persona, 77% e të cilëve e kishin aplikim për herë të parë. EUAA raportoi se grupi më i madh i azilkërkuesve europianë ishin shqiptarët (11 100), të ndjekur nga moldavët (7 700). Të dy paraqitën rreth 70% më shumë aplikime në 2021 sesa në 2020.