Si në filma! 21-vjeçari ‘hajdut’ arratiset nga ambientet e Gjykatës së Korçës

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Korçës. Kristjan Medolli nga fshati Qatrom, 21-vjeç është arratisur ditën e sotme nga Gjykata, teksa kishte shkuar për t’u njohur me masën e sigurisë pasi akuzohej për vjedhje. Pas kësaj policia ka ngritur postblloqe për kapjen e tij. Bëhet e ditur se i riu ka dalë fillimisht nga salla e më pas nga garazhi i Gjykatës.

Policia:

Mesditën e sotme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, nga salla ku po zhvillohej seanca gjyqësore, është larguar shtetasi K. M., 21 vjeç, banues në Qatrom, Korçë, (i arrestuar më datë 06.05.2022, për vjedhjen e një banese në fshatin Qatrom). Medolli akuzohet për vjedhje pasi ka vjedhur në banesën në pronësi të shtetasit V. H., 44 vjeç, banues në fshatin Mazrek, Korçë, një motor frigoriferi dhe një biçikletë, të cilat iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale.