Sonte rikthehet superhëna, më e madhja dhe më e ndritshmja e vitit 2022

Hëna e parë e plotë e verës astronomike dhe Superhëna e dytë e vitit 2022 do të jenë një nga më të mëdhatë dhe më të ndritshmet e vitit.

Përderisa dielli perëndon të mërkurën, më 13 Korrik, do të lindë një Superhënë, e cila do të shkëlqejë më shumë se shumë hëna të tjera të plota gjatë gjithë vitit, shkruan MeteoKosova.

Superhëna e ardhshme do të jetë gjithashtu hëna e parë e plotë e verës astronomike, e cila filloi më 21 Qershor në orën 11:13 të mëngjesit.

Një Superhënë ndodh kur ka një hënë të plotë në të njëjtën kohë kur hëna është afër pikës perigje, duke bërë që ajo të duket 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme se hënat e tjera të plota gjatë gjithë vitit. Anasjelltas, një hënë e plotë që ndodh afër pikës apogje duket pak më e vogël dhe quhet Mikrohënë.

Hëna e Plotë do të jetë 357,264 km nga Toka, që është në pikën perigje më të afërt të vitit. Për krahasim, Hëna e Plotë më e largët ishte më 17 Janar 2022, e cila kaloi prej 401,023 km nga Toka. Sa më shumë që sateliti ynë natyror i afrohet Tokës, aq më i madh dhe më i ndritshëm shfaqet në qiell.

“Superhënat ndodhin vetëm tre deri në katër herë në vit dhe shfaqen gjithmonë radhazi”, sipas astronomëve në NASA.

Spektakli hënor i Korrikut do të jetë edicioni i dytë i një trilogjie të Superhënës në vitin 2022. Superhëna e parë e vitit u ngrit në Qershor dhe e treta dhe e fundit e vitit do të lindë në Gusht, edhe pse disa thonë që janë vetëm dy Superhëna për këtë vit.Superhëna sonte do të lindë në orën 20:30 në drejtimin juglindor, andaj bëhuni gati t’i shkrepni disa foto të bukura të Superhënës – dhe nuk do të jetë vetëm.

Saturni do të ngritet në të njëjtën zonë të qiellit pak para mesnatës, sipas kohës lokale, duke u shfaqur vetëm në të majtë të hënës. “Njerëzit e natës” gjithashtu mund të kërkojnë Jupiterin dhe Marsin në qiellin lindor, të cilët duhet të shfaqen mbi horizont rreth orës 02:00 të mëngjesit me kohën lokale.

Hëna do të kalojë pranë këtyre planeteve në netët në vijim, duke u takuar me Saturnin herët në mëngjesin e 16 Korrikut, e ndjekur nga një kalim pranë Jupiterit më 19 Korrik dhe një takim jashtëzakonisht i afërt me Marsin më 21 Korrik.