Spektakël i rrallë në qiell! Venusi dhe Jupiteri do të duken sikur po përplasen

Këtë fundjavë planetët Jupiter dhe Venus do të duken se gati do të përplasen, duke dhuruar kështu një spektakël të rrallë qiellor. Jupiteri dhe Venusi janë dy nga planetët më të ndritshëm të Sistemit Diellor. Edhe pse në realitet ata do të jenë miliona kilometra larg njëri-tjetrit, për vëzhguesit e yjeve në Tokë ata do të duken sikur po përplasen. Ky fenomen ndodh një herë në vit.

Por këtë vit ata do të duken shumë afër njëri-tjetrit, saqë mjafton të keni një palë dylbi ose mund të shihen edhe me sy të lirë. Përveç lidhjes së jashtëzakonshme planetare të shfaqur, Saturni dhe Marsi do të vihen gjithashtu në një vijë të drejtë me Jupiterin dhe Venusin. Duke shpjeguar këtë fenomen, astrofizikani Brad Tucker tha se planetët ishin afruar më shumë së bashku gjatë dy javëve të fundit. “Megjithëse Venusi dhe Jupiteri afrohen me njëri-tjetrin çdo disa vjet, këtë herë do të jenë edhe Marsi me Saturnin, gjë që e bën shumë të rrallë këtë spektakël”- tha ai.

Koha kulmore për të parë këtë fenomen në Mbretërinë e Bashkuar ishte rreth orës 5 të mëngjesit të së shtunës nga një pikë e lartë e favorshme me një horizont të qartë lindor. Megjithatë, ajo do të jetë ende e dukshme të dielën dhe ditët në vijim ndërsa planetët do të shpërndahen sërish.

Spektatorët në Sydney, Australi, do të kenë një pamje të qartë të çiftit të planetëve që do të ngrihen në lindje rreth orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale më 1 Maj.