Studimi: Personaliteti mund t’ju mbrojë ose t’ju plakë trurin

Sipas një studimi të ri, disa tipare të personalitetit mund të jenë një faktor kyç nëse njerëzit hasin probleme me trurin me kalimin e viteve. Të qenit më i ndërgjegjshëm dhe ekstrovert ndikon më gjatë në problemet e lehta njohëse, ndërsa nivelet më të larta të neurotizmit rritin shanset për rënie të nivelit njohës. Në këtë konkluzion arriti autorja kryesore e studimit, Tomiko Yoneda, studente e Psikologjisë në Universitetin e Viktorias në Kanada.

“Tiparet e personalitetit pasqyrojnë modele relativisht të qëndrueshme të të menduarit dhe sjelljes, të cilat mund të ndikojnë në përfshirjen në sjellje të shëndetshme dhe jo të shëndetshme dhe modele të mendimit gjatë gjithë jetës. Akumulimi i përvojave gjatë gjithë jetës mund të kontribuojë më pas në ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve ose çrregullimeve të veçanta, ose të kontribuojë në aftësinë për t’i bërë ballë ndryshimeve neurologjike të lidhura me moshën”- tha Yoneda. Në studim u analizuan personalitetet e afro 2,000 njerëzve.

Njerëzit e ndërgjegjshëm kishin më pak gjasa të pësonin dëmtime të lehta njohëse. Të qenit ekstrovert dhe i angazhuar në shoqëri mund të ndikojë pozitivisht në reduktimin e problemeve me aftësitë njohëse. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit që janë më të hapur ndaj përvojave, më të ndërgjegjshëm dhe më pak neurotikë performojnë më mirë nga ana njohëse në teste të ndryshme.