Sukses “i madh” i Reformës në Drejtësi/ Gjykata e Lartë lë në burg të vdekurin

Duket se Reforma në Drejtësi po rezulton të jetë një “sukses” i vërtetë së fundmi. Kjo pasi Gjykata e Lartë e Shqipërisë rezulton se ka dhënë një vendim për të lënë në burg një person i cili kishte vdekur prej kohësh. Bëhet fjalë për të ndjerin Saimir Kuçi, i cili u gjet i vetëvarur në banesën e tij në Yzberisht në datë 20 mars 2022. Kjo gjykatë, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” më 12 prill të këtij viti për shtetasin në fjalë, pa e ditur që ai kishte ndërruar jetë gati një muaj para vendimit.

Saimir Kuçi dyshohej si autor i grabitjes së biznesmenit Nazmi Çangu në fshatin Nikël. Gjykata e Krujës vendosi ta linte në burg 37-vjeçarin Kuçi në nëntor 2021 për këtë çështje, por në dhjetor masa u apelua në Gjykatën e Tiranës e cila vendosi që Kuçi të qëndronte në arrest shtëpie. Pikërisht gjatë kësaj kohe, në kushtet e gjendjes jo të mirë mendore, Kuçi i dha fund jetës. Por ky fakt duket se nuk e pengoi aspak Gjykatën e Lartë që të vendoste se i ndjeri duhet të shkonte përsëri në burg, ndonëse tashmë i vdekur.