Sulmi i katërt brenda pak ditësh, vriten me armë dy persona në Izrael

Dy persona kanë humbur jetën dhe 4 të tjerë janë plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr në një lokal në qendër të Tel Avivit mbrëmjen e së sotme. Ky është sulmi i katërt i këtij lloji brenda pak ditësh. Disa nga të shtënat raportohet se kanë ndodhur në rrugën Dizengoff, një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit. Video nga vendi i ngjarjes tregon njerëz duke ikur dhe duke u strukur pas makinave të parkuara. Dyshohet se është sulm terrorist.

Sulmi filloi kur një person i armatosur shkoi në Ilka, një lokal i njohur, dhe hapi zjarr. “Ne u futëm nën tavolina dhe njerëzit filluan të qanin, ishte e tmerrshme,” tha Evelyn Gertz, e cila ndodhej në lokal. Policia u ka thënë banorëve që për momentin të qëndrojnë brenda. Policia e përshkroi ngjarjen si një sulm terrorist me motive nacionaliste. Megjithëse identiteti i sulmuesit ose sulmuesve nuk dihet ende.