Tahiri kërkon nga Rama të anulojë menjëherë vendimin për rrugët njëkahëshe në Prishtinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama që të anulojë menjëherë vendimin për organizimin një kahor të rrugëve në kryeqytet që është paraparë për sot dhe nesër.

Tahiri tha se edhe pse qëllimi i deklaruar ka qenë te çështja ambientale, sipas tij me këtë rregullim është krijuar tollovi.

“Organizimi një kahor i rrugëve (unazë të brendshme) në kryeqytet, del të jetë një testim pa rezultat të qartë dhe në fakt me ndikim negativ. Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për Mobilitetin Urban”.

“Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj. Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët. Ky veprim, e të tilla duhet anuluar menjëherë nga Kryetari Rama, në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.