Tragjike në Greqi! Makina përplaset me shtyllat dhe digjet, vdes 17-vjeçari shqiptar

Një aksident tragjik i ka marrë jetën një 17-vjeçari shqiptar ditën e sotme në Kefalonia, Greqi. Sipas mediave greke aksidenti i përgjakshëm automobilistik ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Lassi Argostoli në Kefaloni. Mësohet se i riu shqiptar ishte duke udhëtuar me tre bashkëmoshatarë të tjerë dhe për arsye që ende nuk dihen në zonën e Lassi në drejtim të Platis Gialos makina e tyre ka devijuar rrugën dhe ka marrë flakë. Zjarri ka djegur 17-vjeçarin i cili ishte ulur në sediljen e pasme dhe nuk ka arritur të dalë nga automjeti, ndërsa zjarrfikësja e mbërritur menjëherë në vendngjarje nuk ka arritur të bëjë asgjë pasi përplasja shkaktoi një shpërthim në mbajtësin e gazit dhe zjarri u përhap shpejt në kabinën e pasagjerëve.

Siç mësohet, të gjithë pasagjerët janë studentë të shkollës profesionale “Argostoli”, me origjinë shqiptare. Sipas dëshmitarëve okularë, mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, kur është përmbysur dhe është përplasur me shtyllat e vendosura në trotuar. Policia Rrugore e Argostolit ka nisur hetimet paraprake për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje tragjike. Pasagjerët e tjerë të mjetit janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar vetëm lëndime të lehta.