Transmetohet nga pickimet e mushkonjave/ Regjistrohet shumë afër Shqipërisë rasti i parë me virusin e Nilit

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) në Greqi ka njoftuar se është zbuluar rasti i parë me virusin e Nilit Perëndimor në Selanik.

Rasti është zbuluar pas një kontrolli rutinë nga autoritetet shëndetësore për parandalimin e virusit.
Sipas mediave vendase,shpërthimet e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor ndodhin në shumë vende të botës, si dhe në shumë vende evropiane çdo vit, prandaj nuk ka vend për shqetësim.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave “të zakonshme”, të cilat janë të infektuara nga zogjtë e infektuar (specie të caktuara kryesisht zogj të egër). Njerëzit e infektuar nuk e transmetojnë më tej virusin.

Shumica e njerëzve të infektuar me virus nuk kanë aspak simptoma ose kanë simptoma të lehta, ndërsa shumë pak njerëz (<1% e të infektuarve) zhvillojnë simptoma të rënda që prekin sistemin nervor (kryesisht encefalit ose meningjit). Njerëzit e moshuar (mbi 50 vjeç) janë më të rrezikuar të sëmuren rëndë, si dhe personat me imunitet të shtypur dhe sëmundjet kronike themelore.