U qëllua me 7 plumba në Shkodër, përkeqësohet gjendja shëndetësore e 60-vjeçarit Dedë Planaj

Në datë 30 prill të këtij viti, në Dobraç të Shkodrës një person i paidentifikuar plagosi me armë zjarri 60-vjeçarin Dedë Planaj. Ky i fundit është kushëriri i parë i të ashtuquajturit “kumbari” i Shkodrës, Bardhok Planaj i cili u vra me 30 plumba në prill të vitit të kaluar.

Ndërkohë pas ngjarjes së 30 prillit ku Planaj u godit 7 herë me armë zjarri pistoletë, ndërsa 6 plumba i mori në këmbë, në duar dhe brinjë, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar shumë. Planaj, pas ndërhyrjes në spitalin rajonal të Shkodrës është transportuar mëngjesin e 1 majit në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.

Kujtojmë se pasi u plagos në fund të muajit prill, Planaj deklaronte asokohe se u qëllua në momentin që po qëndronte ulur tek puna e tij tek një karburant në Shkodër nga një person që mbante një kaskë të zezë në kokë që e ka bërë të pamundur që ta njohë.

“Po qëndroja ulur tek puna në karburant, në një moment erdhi një motoçikletë, drejtuesi i saj ishte me kaskë të zezë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pash dot fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe as arsyen”, ka thënë ai.