U vra në Vlorë, por jetonte në Babrru/ Ky është Xhuljan Bullari, i dënuar për trafikim sirianësh

Xhuljan Bullari është i riu që u gjet i ekzekutuar brenda një makine “Fiat Punto” mëngjesin e sotëm në Vlorë. Bullari u ekzekutua me tre plumba, por plumbi në kokë i solli vdekjen e menjëhershme. 25-vjeçari i cili u gjet brenda makinës është me origjinë nga Elbasani, por banonte në Tiranë në zonën e Babrrusë. Mësohet se në vitin 2018 Bullari asokohe vetëm 22-vjeç është arrestuar nga policia e shtetit pasi transportonte me automjetin e tij tip “Lancia” shtetas sirianë.

Njoftimi i atëhershëm i policisë:

Shtetasi Bullari në lagjen “Sheq i Madh” Fier, është kapur me automjetin e tij tip “Lancia” duke transportuar 3 shtetas sirianë. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.
Nuk dihen ende shkaqet e ekzekutimit të tij dhe as lidhja që mund të ketë me vajzën që kishte në pronësi makinën “Fiat Punto”me targa TR 3437 R.