Ulja nuk zgjat shumë! Bordi çon në 233 lekë/litri çmimin e naftës

Ulja e çmimit të naftës dhe benzinës nuk do zgjasë shumë pasi bordi ka bërë ndryshimet e radhës. Në një njoftim për mediat thuhet se duke filluar nga ora 18:00 e ditës së sotme, çmimi i naftës do jetë 233 lekë/litri nga 226 që ishte dje. Ndërsa benzina nga 206 lekë/litri që ishte, tani do të tregtohet për 213 lekë/litri. Vetëm çmimi i gazit mbetet i pandryshuar pasi vijon të shitet për 104 lekë/litri.

Njoftimi i plotë:

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 27.4.2022

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 27 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 27.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë: • 221 Lekë/litri për gazoilin; • 201 Lekë/litri për benzinën; • 92 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 27.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë: • 233 Lekë/litri për gazoilin; • 213 Lekë/litri për benzinën; • 104 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 27.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.