UNESCO urdhëroi ndalimin e punimeve, shteti shqiptar vazhdon me shkatërrimin e urës 200-vjeçare në Gjirokastër

Ura mbi përroin e Zerzebilit është monument kulture i kategorisë së parë në Gjirokastër. Por kjo urë e mbrojtur nga UNESCO po shembet çdo ditë e më shumë pasi qeveria ka në plan ndërtimin e një Bypass-i në qytetin e Gjirokastrës që nis nga Ura e Nanxës, monument kulture i ndërtuar një shekull më parë dhe përfundon te Urat e Mëdha në Dunavat. Ky projekt i cili u “rishikua” njëherë nga qeveria cënon të paktën tre ura, atë të Zerzebilit, monument kulture kategoria e parë, dy banesa që janë në krye të lagjes Dunavat, konkretisht objektet e familjes Karagjozi dhe një zonë me potencial të lartë arkeologjik.

Në korrik të vitit të kaluar, UNESCO pas konstatimeve dhe verifikimeve të kryera, kërkoi ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Përmes një reagimi, UNESCO njoftoi se do të miratojë një rezolutë për ndërprerjen e punimeve në këtë Bypass, duke vendosur për të dërguar një grup monitorimi që do të analizojë nëse ndërhyrjet e kryera kanë dëmtuar pasurinë kulturorë. Sipas UNESCO, projekti do të ketë një “ndikim negativ në vlerat e zonës”.

Por duket se pavarësisht paralajmërimeve të UNESCO-s, qeveria shqiptare vazhdon e qetë me punimet e saj të rrezikshme në këto zona të mbrojtura të cilat janë tepër të rrezikshme si gjeologjike ashtu edhe sizmike. Në një video të mbërritur në JOQ ALBANIA, një qytetar denoncon faktin se ura është 200 vjeçare por prishja e saj nga shteti shqiptar vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur.