Ushtria e Kadyrovit publikon pamje të “luftës së tyre” në TikTok, mediat në Ukrainë tallen me ta

Ushtarët e liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, të rreshtuar kah ushtria ruse, publikojnë pamje se gjoja po i luftojnë ukrainasit. Mediat ukrainase raportojnë se ata në fakt nuk po përballen me ndokënd.

Lideri çeçen pretendon se po i ndihmon Rusisë në luftime dhe se po ka sukses në luftën në Ukrainë. Mirëpo, autoritetet dhe mediat ukrainase shumë herë kanë publikuar pamjet e debaklit të atyre që quhen “Kadyrovitë”.

Në rrjete sociale po qarkullon një video brenda një objekti të rrënuar, ku ushtarët e Kadyrovit pretendojnë se janë në dyluftim.

Por, mediat ukrainase raportojnë se ata në fakt po e luftojnë “armikun e padukshë”

“Kadyrovitët vazhdojnë t’i tregojnë TikTokut se si po luftojnë kundër armiqve të padukshëm”, ka shkruar mediumi NEXTA.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt, çeçenët janë rreshtuar krah liderit rus, Vladimir Putin, në tentimin e pushtimit të shtetit ukrainas.