Veliaj me instalacion tjetër në Tiranë! Autobusi jeshil përplaset me stacionin e qytetarëve

Një autobus jeshil është përplasur ditën e sotme në Tiranë. Në redaksinë e JOQ ALBANIA kanë mbërritur pamjet e autobusit jeshil i cili është përplasur me stacionin ku qytetarët presin autobusin. Aksidenti ka ndodhur para fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe autobusi është i linjës Qytet Studenti-Fakulteti i Shkencave të Natyrës-Jordan Misja. Fatmirësisht nga aksidenti nuk ka patur të lënduar.

Ndërkohë vlen të thuhet se të premten në mbrëmje, një autobus tjetër jeshil, ai i linjës “Green-Line” i cili sapo u inagurua nga kryebashkiaku Veliaj përfundoi në lumin Lana bashkë me pasagjerët që ndodheshin në të. Autobusi mori para dhe një makinë tip “Benz” dhe të dy mjetet përfunduan në lumë. Nga kjo ngjarje 5 persona mbetën të plagosur dhe autobusi vazhdon të qendrojë në lumin Lana si instalacion për qytetarët. Ndërkohë mbetet për t’u parë se cili do jetë fati i autobusit jeshil që u përplas sot pasi të dy janë jeshil dhe ndoshta për Veliajn edhe ky mund të shndërrohet në instalacion tërheqës për qytetarët e turistët…

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak Më datë 02.05.2022, rreth orës 13:00, në bulevardin “Zogu I”, shtetasi D. Sh., duke drejtuar autobusin e linjës së Tiranës së Re, dyshohet se është përplasur me mbulesën e vendqëndrimit të stacionit të autobusit. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.