Vendimi më i fundit në vendin tonë botohet menjëherë në fletoren zyrtare dhe hyn në fuqi nga 1 Qershori, gjobat shkojnë nga 500 deri në 1.5 milionë lekë për shkelësit

Ligji i cili ndalon prodhimin dhe përdorimin e qeseve plastike është botuar në Fletoren zyrtare dhe nis nga data 1 Qershor 2022.

Pavarësisht kundërshtive nga Shoqata e Konvertuesve të Plastikë si dhe aktorë të tjerë të tregut, ndryshimet ligjore të hartuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikojnë që çdo person që hedh në treg, prodhon, importon apo fut në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse, të degradueshme apo të biodegradueshme gjobitet fillimisht me 500 mijë lekë gjobë.

Në rast përsëritje të shkeljes, gjoba kundrejt kundravajtësit aplikohet në masën e 1.5 milionë lekëve. Kur këta persona gjobiten me 1.5 milionë lekë gjobë dhe në shkelje të përsëritur vijojnë veprimtarinë e tyre, dënohen me revokimin e lejes/licencës së prodhimit dhe sekuestrimin e qeseve plastike të ndaluara.

Qëllimi i ndryshimeve në ligj është bazohet në nevojën për reduktimin e këtyre mbetjeve plastike, për shkak të ndotjes që shkakton në tokë dhe det mikroplastika.

Subjektet të cilat para hyrjes në fuqi të këtij ligji prodhojnë, importojnë ose hedhin në treg në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike, duhet të ndalojnë ushtrimin e këtyre veprimtarive brenda datës 1 qershor 2022.