Vrasja e babë e bir në Elbasan/ Dalin detaje nga ngjarja e rëndë, autorët morën makinë me qira te stacioni i Trenit

Elvin Korbi, pronari i makinës me të cilën lëviznin autorët e vrasjes së babë e bir në Elbasan, Gentjan dhe Nezir Beqirit, ka dëshmuar ditën e djeshme në Gjykatë.

Burime bëjnë me dije për gazetaren e Panorama.al Nikoleta Kovaçi se makina e cila u mor me qira te stacioni i Trenit në Tiranë përdorej nga Ervis Bardhi dhe Jorgo Leku për të kontrolluar zonën.

Automjeti tip “Opel” është parë për disa ditë rresht në afërsi të pallatit ku jetonin babë e bir në Elbasan. Gentian dhe Nezir Beqiri u ekzekutuan në shtëpinë e tyre në 15 gusht 2012.

Si ndodhi vrasja

Autorët ishin paraqitur në shtëpinë e Nezir Beqirit si miqtë e djalit, Gentianit i cili ndodhej i paralizuar dhe në arrest shtëpie, pas një përplasje me policinë pasi ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Elbasan.

Policia ka dy pista për vrasjen e Beqirit. E para është ajo e motiveve të dobëta pasi Cani dyshonte se Gentian Beqiri i kishte ngacmuar të dashurën.

Pista tjetër është ajo e hakmarrjes së vjetër me Çapjat, pasi Gentian Beqiri ishte një ndër tre personat që ekzekutuan Sokol Çapjan në një lokal në dhjetor 2005 në Elbasan duke çelur kështu serinë e hakmarrjeve mes familjeve në këtë qytet.