Vrasja e shqiptarit në Brazil, pse shefi i tij italian e donte të vdekur?

Një shtetas italian dhe dy brazilianë kanë dalë para gjykatësve pasi akuzohen për ekzekutimin e shqiptarit Alban Gropçaj, ngjarje e cila ka ndodhur në shkurt të vitit 2019 në qytetin e Caucaias, të Rajonit Metropolitan të Fortalezas së Brazilit. Gropçaj ishte i punësuar nga i pandehuri italian i quajtur Guido Bertola, në një kompani me qendër në Itali. Ata udhëtuan të dy drejt Brazilit për të punuar, por planet për shqiptarin nuk shkuan ashti siç i kishte menduar.

Hetuesit thonë se Gropçaj u vra nga dy persona, njëri nga të cilët i paidentifikuar, me urdhër të një gruaje braziliane dhe vetë italianit që akuzohet si autor i krimit. Italiani kërkonte eliminimin e të riut shqiptar për “interesa financiare”, pasi Gropçaj do të zhvillonte një projekt të madh në kompaninë e italianit. Por ky i fundit kishte frikë mos shqiptari fuqizohej dhe mund ta falimentonte.

Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë kthimit nga një restorant në Fortaleza të Brazilit. Teksa shqiptari po shkonte në shtëpinë e italianit, në Caucaia, dy persona iu afruan me motor, më pas e nxorën nga automjeti dhe e ekzekutuan me tre plumba, dy në kokë dhe një në shpinë.