Vrau dy turistët çekë në Shkodër në 2015-ën, lihet në burg përjetë Sokol Mjacaj

Gjykata e Lartë ka lënë të pandryshuar burgimin e përjetshëm për Sokol Mjacajn, i shpallur fajtor për vrasjen e dy turistëve çekë në korrik të vitit 2015. Një kolegj penal i relatuar nga gjyqtari Sandër Simoni vendosi të mos pranojë rekursin e Mjacajt, i cili në kohën e ngjarjes ishte 20 vjeç.

Mjacaj u arrestua rreth dy ditë pasi u mori jetën dy turistëve që po vizitonin zonën e Shkodrës. Ai pranoi menjëherë autorësinë e krimit dhe tha se kishte hipur me forcë në makinën e tyre, duke i kërcënuar me një kallashnikov, me qëllim për t’i grabitur.

Por pas disa kilometrash, çeku Michael Svatosh, tentoi t’i merrte automatikun, ndërsa Mjacaj qëlloi ndaj të dyve, duke i lënë të vdekur në vend.

Kur ishte vetëm 15 vjeç, Mjacaj ishte dënuar me 10 vite burg, pasi bashkë me dy persona të tjerë kishin ndaluar një 13-vjeçar për t’i grabitur varësen, por pasi kishin hasur në rezistencën e tij, e kishin goditur për vdekje.

Për fshehjen e krimit, ata kishin hedhur trupin e adoleshentit në lumë. Në atë kohë, Gjykata e Apelit e Shkodrës vendosi ta dënonte me 5 vite burg për shkak se ai bashkëpunoi me drejtësinë duke treguar ngjarjen, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit Besnik dhe Edmond Kodra, u dënuan respektivisht me burgim të përjetshëm dhe 25 vite burg.