‘Vrojtuesit e lagjes’ në Ferizaj publikojnë një video: Ky është Dardan Krivaqa duke u arratisur

Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ndërkaq qytetarët po mundohen t’i dalin në ndihmë organeve shtetërore për kapjen e tij.

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet një person që tenton të arratiset, dyshohet se është pikërisht Krivaqa.

‘Vrojtuesit e lagjes’ kanë postuar një video ku thuhet se është Dardan Krivaqa gjatë tentimit të ti për t’u arratisur dhe kanë thënë se video është dërguar nga një person anonim.

Policia ka shkuar me patrulla dhe njësitë e shtuara, por raportohet se ai kishte arritur të ikte.

Ndërtesat janë kontrolluar për ta kërkuar të dyshuarin, për të cilin banorët thanë se e ka ndryshuar pamjen duke i prerë flokët dhe se ka tentuar që të fshihet me një bluzë me kapele që t’i evitohet banorëve të kësaj lagjeje.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj kërkon bashkëpunim nga qytetarët, për identifikimin dhe vendndodhjen e personit Dardan Emrush Krivaqa, i cili dyshohet për “Vrasje të rëndë” në Ferizaj.

Vrasja e rëndë, ka ndodhur dje më 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O.

“I njëjti, i dyshuari deri më tani nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Personi i kërkuar është Dardan (Emrush) Krivaqa, lindur më 25.08.1992, adresa rr ‘Ramadan Rexhepi’, Ferizaj”, thuhet në komunikatë.

Policia kërkon nga qytetarët që kushdo që ka ndonjë informacion rreth këtij personi dhe vendndodhjen e tij të lajmërojnë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë : 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Të dhënat thuhet se do të jenë në konfidencialitet të plotë.