Xhavit Haliti: S’është dashtë me lanë Adem Jasharin n’shpi, askush s’e ka ditur çfarë do të ndodh

Xhavit Haliti, një prej eksponentëve të rëndësishëm të UÇK-së dhe LPK-së, i është përgjigjur debateve të shpeshta lidhur me sulmin mbi familjen Jashari, ku hidhen akuza se Adem Jashari ishte braktisur nga shokët e luftës.

Haliti, në një rrëfim për Pressing në T7, ka thënë se askush nuk e ka ditur se një sulm po përgatitej dhe do të ndodhte te familja Jashari. Ai ka thënë se po të dihej kjo gjë, heroi Adem Jashari dhe familja e tij nuk do të liheshin vetëm.

“Tani, na me pas ditë që i ndodh Adem Jasharit diçka e tillë, po besoj që s’është dashtë me lanë Ademin n’shpi. Kërrkush s’e ka ditë. Kush ka mujtë me ditë? Po dëgjoj kur po thonë pse e kanë lanë vetëm”, ka thënë Haliti.

“Adem Jashari e as ne s’kemi pasur kazermë, as Adem Jashari s’ka pas nevojë të merr leje nga dikush që të shkojë në shtëpi, qysh s’ka pas nevojë as me marr leje të tjera. Puna është sa është vlerësu siguria e Adem Jasharit për të qëndru në shtëpi. Më së pari prej njerëzve e shokëve të tij”, ka theksuar Haliti.

Ndërsa, ai ka thënë se e ka takuar disa herë Adem Jasharin në Shqipëri.

“Jemi taku në Shqipëri. Mas ushtrimeve ka qëndru bukur gjatë”, ka thënë Haliti.